U realizuan me sukses 6 pjesë të punëtorisë multikulturore dhe inkluzive “ Flutura Mbretëresh”, projekt me të cilin shënuam 28 Majin Ditën Botërore të Fluturave. Edhe në këtë projekt patëm pjesëmarrës virtualë nga SHFK “Bera Jociq” nga Komuna e Gazi Babës në Shkup, të cilët krijuan në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë, gjë që tregon se kreativiteti na bashkon edhe pse jemi në komuna të ndryshme.
Ky ishte një projekt i gjerë me 220 pjesëmarrës, me qëllim të kontribuimit në integrimin multikulturor, si dhe në përfshirjen e pjesëmarrësve me nevoja të veçanta në çdo pjesë të aktivitetit, ku të gjithë së bashku patën mundësi të jenë kreativë.
Në dy pjesë të këtij organizimi patëm vizitë nga Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QK “Koço Racin”, z. Fluturim Ibraimi, dhe Drejtoresha e IPKKF “Olga Miceska”, znj. Arlinda Shaini Veliu, si dhe vizita nga mësimdhënës, asistentë dhe edukatore nga shkollat dhe kopshtet e komunës sonë të Kërçovës.
Mirënjohje e madhe para së gjithash për pjesëmarrësit, si dhe për bashkëpunëtorët e brendshëm dhe të jashtëm që kontribuuan në realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
Gjithashtu, me këtë ngjarje kreative kontribuojmë për “Kërçova qyteti i kulturës 2026”.
Dhe sigurisht, nuk ndalemi këtu!